Resurset e naftës faktorë në ndryshimin e relacioneve ndërkombëtare në Evropë në fillim të shekullit XX
Mots-clés :
hekurudha, aleanca, Britania, Perandoria Osmane×, naftaRésumé
Në fillim të shekullit njëzet me fuqizimin ekonomik të Gjermanisë dolën në pah edhe ambiciet e saj kolonialiste. Projekti për ndërtimin e hekurudhës Berlin-Bagdad, që filloi së realizuari më 1903, kishte për qëllim krijimin e një porti gjerman në Gjirin Persik. Ambiciet gjermane rrezikuan posedimet e burimeve të naftës, të cilat prej kohësh i mbante Britania në këtë rajon. Ngaqë perspektiva e naftës ishte e ndritshme si një burim inovativ për kohën, Britania e Madhe u angazhua në parandalimin e depërtimit gjerman në Lindje të Mesme. Përpjekjet britanike u lehtësuan nga ndryshimi i dhunshëm i dinastisë sunduese në Serbi. Ky akt ndryshoi raportet midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë, duke shkaktuar kështu barrierën e parë kundërgjermane në Ballkan që do të fuqizohej me krijimin e Antantës dhe mundësimin e ndikimit kulturor dhe politik të Rusisë tek sllavët e Ballkanit. Njëkohësisht britanikët mbështetën xhonturqit në rrëzimin e Abdylhamitit II, më 1909, gjë që ndryshoi raportet midis Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë. Në këto rrethana shtetet ballkanike, si: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi nën maskën e “çlirimit të vendit të tyre dhe dëbimit të turqve nga Ballkani”, finalizuan projektet për ndarjen e territoreve në Ballkan, respektivisht të copëtimit të trevave shqiptare. Këto rrethana të kombinuara me faktorë tjerë çuan në shpërthimin e luftërave ballkanike dhe më pas si rrjedhojë edhe të ballafaqimeve politike midis Fuqive në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, apo më tej edhe në Luftën e Parë Botërore. Punimi “Resurset e naftës faktorë në ndryshimin e relacioneve ndërkombëtare në Evropë në fillim të shekullit XX” ka për qëllim të analizojë faktorët dhe interesat që çuan në ndryshimin e këtyre raporteve, mënyrës se si u zhvilluan dhe shkaqet që prodhuan ato, me theks të veçantë rastit të trevave shqiptare.
