Në udhëkryqin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër: shqiptarët midis synimit për bashkim dhe alternativës për kryengritje
Fjalët Kyçe:
Udhëkryq, kryengritje, emigrim, konferencë, bashkimAbstrakti
Në këtë punimsynohet të paraqiten të dhëna lidhur me qëndrimin e shqiptarëve ndaj punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, vendimeve të saj dhe reflektimit në raport me to. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ka ekzistuar një gjendje gatishmërie e shqiptarëve, që ishin rreshtuar në lëvizjen e armatosur për çlirim, për tëorganizuar një kryengritje kundër pushtimit të monarkive ballkanike dhe bashkimit të trevave shqiptare me shtetin e saposhpallur shqiptar.Një rol domethënës në këtë drejtimka luajtur edhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, punimet e së cilës kanë ndikuar në qëndrimin përfundimtar të shqiptarëve, që kishin varur shpresat se Fuqitë e Mëdha do të vendosnin në favor të kërkesave të tyre politike e kombëtare. Gjatë periudhës së punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, patriotët shqiptarë që vepronin në Shqipëri, mbanin lidhje të vazhdueshme me udhëheqësit e njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në viset e pushtuara, të cilëve u kërkonin të jenë të matur dhe t’ipërballonin sfidat që pushtuesit e rinj ushtroninmbi supet e tyre. Vendimet përfundimtare të Konferencës së Ambasadorëve në Londër ishin përcaktuese për të tejkaluar udhëkryqin e vijës së qëndrimeve të mëtejme kundrejt pushtuesve. Grupet e vogla të armatosura shqiptare, të cilat vepronin në klandestinitet, përmes organizimeve të fshehta dhe sulmeve të befasishme ishin aktive kundrejt organeve ushtarake e administrative të pushtuesve në trevat shqiptare. Ato ishin shprehje e gatishmërisë së popullsisë shqiptare për të kundërshtuar pushtimin dhe aneksimin e ri.Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar më shumë se gjysmën e trevave shqiptare, u bënë menjëherë publike nga organet e pushtetit të ri. Ato ngjallën pakënaqësi në mesin e popullsisë shqiptare, e cila iu përgjigj thirrjes për të organizuar një kryengritje të armatosur për çlirimin dhe bashkimin e trevave shqiptare. Rrjedhimisht, në shtator të vitit 1913, alternativa për organizimin e kryengritjes së armatosur ishte rruga e vetme për të kundërshtuar pushtimin dhe aneksimin.
