Kontributi i diasporës shqiptare të Gjermanisë për luftën e Kosovës

Autori

  • Jeton Arifi

Parole chiave:

Diasporë, mobilizim, kontribut, shumëdimensional.

Abstract

Veçantia që e ka karakterizuar dhe dëshmuar diasporën shqiptare përgjatë gjithë ekzistencës së saj jashtë trungut amë, është pikërisht kjo e cila u materializua dëshmueshëm gjatë periudhës më kritike për kombin, respektivisht midis vitit 1998 dhe 1999. Përzgjedhja e kësaj teme enkas për sesionin e tretë të Konferencës Shkencore Mbarëkombëtare “Diaspora Shqiptare dhe Çështja e Kosovës 1912 - 2008”, për mua nuk ka qenë e rastësishme. Diaspora shqiptare ka pasur rol, sa të rëndësishëm, po aq edhe të padiskutueshëm e vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe ky kontribut i saj është shumëdimensional, thelbi i të cilit do të shpaloset brenda trungut të këtij punimi. Trungu i këtij punimi ofron të dhëna lidhur me organizimin e gjithëmbarshëm shoqëror e politik të diasporës shqiptare në dekadën specifike dhe historikisht kritike, që ka qenë periudha nga viti 1998 deri me 1999, për çlirimin e Kosovës. Kjo periudhë është dëshmuar me mobilizimin më efektiv që ka ndodhur ndonjëherë ndër shqiptarë dhe me angazhimin më të madh të burimeve njerëzore nga vendet e reja drejt vendit të origjinës. Ky punim shpërfaq mobilizimin, si veprim shoqëror e politik, ekonomik, diplomatik, midis anëtarëve dhe organizatave të diasporës, në relacion me luftën e Kosovës të vitit 1998-1999, si momentumin më kritik të mbijetesës së bërthamës kombëtare shqiptare brenda territorit administrativ të Kosovës. Për të paraqitur një pasqyrë sa më reale, rrëfimet lidhur me organizimin e diasporës shqiptare për çlirimin e Kosovës bazohen në burime të siguruara, në formë deklarimesh të dhëna nëpër intervista për mediume të kohës, e madje disa prej tyre të përmbledhura në format librash, që sot dhe në të ardhmen do të na shërbejnë, jo vetëm si kujtesë, por edhe si dëshmi historike për kontributin e pashoq të pjesëve të shkëputura të trungut shqiptar gjatë kësaj periudhe të ndjeshme. Përmbyllja e këtij shkrimi akademik me këtë temë hedh dritë rreth rolit human, atdhetar, financiar e kulturor që ka luajtur diaspora mbarëshqiptare, e përqendruar kryesisht në Amerikë, Evropë e veçanërisht në Gjermani, gjatë viteve 1998 deri 1999. Publikimi i këtij punimi do të mund të shërbejë si literaturë shtesë për studiues të tjerë, sepse thelbi i hulumtimit do të jetë i përqendruar në burime parësore, të cilat, në shumë raste janë intervista me dhe reportazhe për veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, respektivisht të çlirimit të Kosovës.

Downloads

I dati di download non sono ancora disponibili.

Pubblicato

2025-06-03

Come citare

Arifi, J. (2025). Kontributi i diasporës shqiptare të Gjermanisë për luftën e Kosovës. Instituti I Historisë "Ali Hadri" Kosovë, 499–506. Recuperato da https://konferenca-al-7ff1.fra1.mystaging.site/ih-rks/article/view/1698