Konferenca e Paqes e Parisit dhe qëndrimet e diasporës dhe Komitetit “MKK” për çështjen e Kosovës

Autori

  • Marenglen Verli

Parole chiave:

Konferenca e Paqes në Paris, çështja e Kosovës, diaspora shqiptare, Komiteti “MKK”, diplomacia shqiptare.

Abstract

Më 24 janar 1924, Turhan Pashë Përmeti dhe anëtarët e qeverisë së Durrësit, hartuan programin qeveritar që do të ishte orientim për veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në të thuhej se objekti ishte “mbrojtja jashtë shtetit e pavarësisë dhe e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe e të drejtave sovrane të popullit shqiptar brenda kufijve etnikë”. Në memorandumet që iu paraqitën më 15 shkurt 1919 Konferencës (ai mban datën 12 shkurt), më 24 shkurt, të cilët ishin pothuajse të njëjtë, u trajtuan tri çështje kryesore: së pari, rinjohja dhe garantimi i pavarësisë, tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe respektimi i të drejtave sovrane të popullit shqiptar, të përcaktuara më 1913 në Londër; së dyti, të korrigjoheshin kufijtë dhe të përfshiheshin në Shqipëri territoret shqiptare të copëtuara në favor të fqinjëve me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913); së treti, të hidheshin poshtë pretendimet e fqinjëve në Konferencë, për të aneksuar territore të tjera shqiptare, brenda kufijve të 1913-ës. Dihet se në rrethanat e kohës as gjykimi ndërkombëtar për problemet që trajtonte Konferenca, përfshi edhe problemin shqiptar, nuk ishte i paanshëm dhe as qëndrimi i delegacionit shqiptar nuk ishte i njësuar dhe i padiferencuar ndaj tre fqinjëve të Shqipërisë. Në Paris, përveç delegacionit zyrtar të qeverisë së Durrësit (10 vetë) deri në fillim të prillit, u shtuan edhe përfaqësuesit e diasporës shqiptare, që aso kohe ishte shumë më e zhvilluar se popullsia në Shqipëri nga ana kulturore dhe në një gjendje të mirë ekonomike. Përfaqësuesit e diasporës shqiptare në Turqi, ShBA dhe Rumani, por edhe të Komitetit “MKK” kishin pasur rol aktiv në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë Rilindjes dhe në vitet pas Shpalljes së Pavarësisë. Dërgimi i tyre në Paris tregonte për shqetësimin e madh që ekzistonte në diasporë, por edhe në KMKK për të ardhmen e vendit dhe rëndësinë e madhe që i jepej prej tyre luftës diplomatike për të mbrojtur interesat e kombit shqiptar. Por, situata nuk ofronte asgjë të mirë për shqiptarët. Diplomati amerikan Kliv Dei pas takimit me Turhan Pashën dhe Luigj Gurakuqin njoftonte presidentin Uillson se ata kishin ngritur pretendime etnike të papranueshme. Ai sugjeronte se “është më mirë që Shqipëria të mbajë atë që kishte më 1913 se sa të rrezikojë të humbasë pjesë të territorit të saj duke u përpjekur të marrë më shumë”. Në këtë punim do të argumentohet qëndrimi i diasporës dhe elitës së Kosovës, të emigruar në Shqipëri dhe të organizuar në Komitetin “MKK”, për çështjen e Kosovës në rrethanat ndërkombëtare të viteve 1919-1920 dhe veçanërisht në rrjedhën e zhvillimeve të Konferencës së Paqes në Paris.

Downloads

I dati di download non sono ancora disponibili.

Pubblicato

2025-06-03

Come citare

Verli, M. (2025). Konferenca e Paqes e Parisit dhe qëndrimet e diasporës dhe Komitetit “MKK” për çështjen e Kosovës. Instituti I Historisë "Ali Hadri" Kosovë, 169–182. Recuperato da https://konferenca-al-7ff1.fra1.mystaging.site/ih-rks/article/view/1675