Qëndrimi i Francës ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër
Keywords:
Lufta e Parë BallkanikeAbstract
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që mëtonte të zgjidhte problemet kryesore në Ballkan pas plasjes së Luftës së Parë Ballkanike, një ndër preokupimet kryesore diplomatike të Fuqive të Mëdha kishte çështjen shqiptare. Franca, njëra ndër Fuqitë e Mëdha, në fillim të shekullit XX nuk ka qenë e interesuar për zhvillimet në Ballkan, aq sa ishin të interesuara Austro-Hungaria dhe Rusia, mirëpo aleanca e saj me Rusinë që datonte nga viti 1894, ka bërë që ajo të përfshihet në angazhimin diplomatik si në luftërat ballkanike, ashtu edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Ajo është përfshirë në Ballkan jo duke mobilizuar ushtrinë, por duke dërguar në Ballkan gazetarë, diplomatë e misione ushtarake, kurse në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ambasadori i saj Paul Cambon, një diplomat i rryer ishte në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqjen shtetërore në Paris dhe paraqiste qëndrimet dhe interesat e Francës, gjë për të cilën shteti francez më vonë pati dobi të mëdha ekonomike, ngase shtetet si Serbia, Rumania e Greqia, në vitin 1913 nga ajo morën kredi të mëdha. Në çështjen shqiptare që u ngrit në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Franca, edhe pse nuk ishte interes i saj nacional, më tepër ishte përkrah aleates së saj Rusisë, e me këtë edhe e afërt me qëndrimet e vendeve ballkanike, të cilët mëtonin që të merrnin sa më shumë territore nga ato që kishin qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane. Aleanca e Francës me mbrojtësen e Serbisë, Rusinë, ka bërë që edhe Franca të jetë mbështetëse e interesave serbe. Për shkencën e historisë dhe të historiografisë është me interes që të trajtohet kjo temë, ngase qëndrimi i Fuqive të Mëdha e me këtë edhe qëndrimi i Francës në Konferencën e Ambasadorëve në Londër patën rol përcaktues në krijimin e shtetit shqiptar, por që gati gjysma e territoreve u lanë jashtë trungut amë. Besoj se ky punim i përgjigjet nevojave të kohës dhe është në shërbim jo vetëm të njohjes së të kaluarës tonë, por edhe që nëpërmjet tij, i cili gati tërësisht bazohet në dokumentet e kohës dhe të përdorimit të herëpashershme të shtypit të kohës t’u jepet përgjigje shumë vendimeve të rëndësishme për çështjen shqiptare gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër.
