Instituti i Historisë në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë shkencore, që nga themelimi e deri më sot, ka organizuar shumë evenimente shkencore. Institut ka organizuar tryeza shkencore, konferenca, dhe simpoziume për ngjarje dhe personalitete të rendësishme të historisë kombëtare. Në këto organizime kanë marrur dhe marrin pjesë studiues jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Instituti i Historisë në kuadër të veprimtarisë së vet shkencore ka vënë bazat e bashkëpunimit nderkombëtar me institucione simotra në rajon dhe më gjërë.
Ali Hadri - jeta dhe vepra
Organizuar nga Instituti i Historisë dhe nën patronazhin e Presidentit të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu, më 3 dhjetor 2007 në Prishtinë u mbajt një Akademi Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të akademikut Ali Hadri. Më pas, më 3 mars 2008, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë dhe Departamentin e Historisë, organizuan Simpoziumin shkencor me temën: “Jeta dhe Vepra e Akademik Ali Hadrit”.
Në këtë Simpozium morën pjesë 24 studiues të njohur nga trojet shqiptare, të cilët paraqitën kumtesa me vlerë shkencore, duke analizuar kontributin e shumëanshëm të Ali Hadrit në studimin e historisë kombëtare, me theks të veçantë mbi çështjen shqiptare në Kosovë.
Libri që keni përpara përmbledh të gjitha kumtesat e lexuara gjatë Simpoziumit, bashkë me fjalën hyrëse, fjalimet përshëndetëse dhe përmbyllëse të ngjarjeve, si dhe një bibliografi orientuese për veprën dhe trashëgiminë e tij shkencore.
