Parathënie

Authors

  • Teuta S Shala-Peli

Abstract

Është një nder i veçantë për mua të paraqes këtë parathënie për librin “Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore”, i cili trajton një periudhë të rëndësishme dhe sfiduese të historisë sonë. Ky botim është rezultat i punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare: “Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore”, mbajtur në Prishtinë më 25 tetor 2024, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë dhe Universitetin e Prishtinës - Fakultetin Filozofik, Departamentin e Historisë.

Lufta e Parë Botërore përbën një moment kritik në procesin e konsolidimit të shtetit shqiptar, i cili ende nuk kishte arritur të stabilizohej pas Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Në këtë periudhë, populli shqiptar u detyrua të përballej jo vetëm me rreziqet e luftës, por edhe me sfidën për të ruajtur dhe mbrojtur tokat e veta, si dhe për të siguruar mbijetesën e shtetit të ri shqiptar në një kohë të trazuar. Shqipëria, e cila ishte ende në hapat e parë të ndërtimit të shtetit të saj, u gjend përballë kërcënimeve të Fuqive të Mëdha dhe interesave të ndryshëm rajonalë.

Në kushte edhe më të vështira ndodheshin shqiptarët jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar, veçanërisht ata në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, të cilat, pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), mbetën jashtë juridiksionit të Shqipërisë zyrtare. Ky botim përmbledh kontributet e studiuesve nga institucione të rëndësishme akademike, të cilët nëpërmjet kumtesave të tyre analizojnë, me argumente shkencore dhe burime të shumta historike, rolin dhe qëndrimin e shqiptarëve gjatë kësaj lufte. Studimet e përfshira ndihmojnë në ndriçimin e shumë aspekteve të panjohura ose  të trajtuara më pak në historiografinë shqiptare dhe hedhin dritë mbi ndikimin e kësaj lufte në rrjedhën e mëvonshme të çështjes shqiptare.

Përmbledhja me punime “Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore” pasqyron përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar mes presioneve të mëdha, si dhe për të siguruar vendin e tyre në një botë që po ndryshonte rrënjësisht.

Ky libër u kushtohet të gjithë atyre, që mbrojtën dhe përfaqësuan kauzën shqiptare në një nga periudhat më kritike të historisë sonë. Shpresojmë që ky botim të shërbejë jo vetëm si një burim informacioni, por edhe si një reflektim mbi rolin dhe vendin që Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur në ngjarjet që kanë përcaktuar fatin e botës moderne.

Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë autorët që kontribuuan me punimet e tyre në këtë përmbledhje, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e frytshëm akademik, që e bëri të mundur realizimin e këtij botimi.

Downloads

Download data is not yet available.

Published

2025-07-09

How to Cite

Shala-Peli, T. S. (2025). Parathënie. Institute of History "Ali Hadri" Kosovo, 9–10. Retrieved from https://konferenca-al-7ff1.fra1.mystaging.site/ih-rks/article/view/275

Conference Proceedings Volume

Section

Preface